15
Edhe ne, që jemi të fortë, duhet të mbajmë dobësitë e atyre që janë të dobët dhe jo t'i pëlqejmë vetes. Secili nga ne le t'i pëlqejë të afërmit për të mirë, për ndërtim, sepse edhe Krishti nuk i pëlqeu vetes së tij, por sikurse është shkruar: "Sharjet e atyre që të shanin ty, ranë mbi mua". Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë. Dhe Perëndia i durimit dhe i ngushëllimit ju dhëntë juve të keni po ato mendime njeri me tjetrin, sipas Jezu Krishtit, që me një mendje të vetme dhe një gojë të vetme ta përlëvdoni Perëndinë, Atin e Perëndisë tonë Jezu Krisht. Prandaj pranoni njëri-tjetrin, sikurse edhe Krishti na pranoi për lavdinë e Perëndisë. Tani unë po ju them se Jezu Krishti u bë shërbëtor i të rrethprerëve për të vërtetën e Perëndisë, për të vërtetuar premtimet e dhëna etërve, dhe i pranoi johebrenjtë për mëshirë të vet, që ta lëvdojnë Perëndinë sikurse është shkruar: "Për këtë do të të përlëvdoj ndër kombe, dhe do t'i këndoj lavdërime emrit tënd!". 10 Dhe përsëri ai thotë: "Gëzohuni, o njerëz, me popullin e tij". 11 Dhe përsëri: "Lavdëroni Zotin, të gjithë njerëzit; dhe le ta lëvdojnë të gjithë popujt". 12 Dhe përsëri Isaia thotë: "Do të mbijë një filiz nga rrënja e Jeseut dhe ai që ngrihet për të sunduar njerëzit; kombet do të shpresojnë në të!". 13 Dhe Perëndia i shpresës le t'ju mbushë me çfarëdo gëzimi dhe paqe me anë të besimit, që të keni mbushulli në shpresë, me anë të fuqisë së Frymës së Shenjtë! 14 Dhe, sa për ju, o vëllezër, më është mbushur mendja për ju, se edhe ju jeni plot mirësi, plot me çdo njohuri, të zotë të këshilloni njëri-tjetrin. 15 Por unë ju shkrova në një farë shkalle më me guxim që t'ju kujtoj për hirin që m'u dha prej Perëndisë, 16 që të jem shërbëtor i Jezu Krishtit pranë johebrenjve, duke punuar në shërbesën e shenjtëruar të ungjillit të Perëndisë, që oferta e johebrenjve të jetë e pëlqyer, dhe e shenjtëruar nga Fryma e Shenjtë. 17 Kam, pra, me se të mburrem në Jezu Krishtin për punët që kanë të bëjnë me Perëndinë. 18 Sepse nuk do të guxoja të flas për ndonjë nga ato gjëra të cilat Krishti nuk i bëri nëpërmjet meje, për t'i sjell në dëgjes johebrenjtë me fjalë dhe me vepër, 19 me fuqi shenjash dhe çudirash, me fuqi të Frymës së Perëndisë; kështu, prej Jeruzalemit e përqark dhe gjer në Iliri, kam kryer shërbimin e ungjillit të Krishtit, 20 duke u përpjekur të ungjillëzoj atje ku nuk ishte i njohur emri i Krishtit, që të mos ndërtoj mbi themelin e tjetërit. 21 Por, sikurse është shkruar: "Ata, ndër të cilët nuk u qe shpallur, do të shohin, dhe ata që nuk kishin dëgjuar për të, do të kuptojnë". 22 Edhe për këtë arsye u pengova shumë herë të vij tek ju. 23 Por tani, duke mos pasur më fushë veprimi për të ungjillizuar në këto vise, dhe duke pasur prej shumë vjetësh mall të vij tek ju, 24 kur të shkoj në Spanjë, do të vij ndër ju; sepse shpresoj, pra, t'ju shoh dhe të më përcillni deri atje, pasi të kënaqem, sado pak, me ju. 25 Por tani unë po shkoj në Jeruzalem, për t'u shërbyer shenjtorëve, 26 sepse atyre nga Maqedonia dhe Akaia u pëlqeu të japin një ndihmesë për të varfërit që janë ndër shenjtorët e Jeruzalemit. 27 Kjo u pëlqeu atyre me të vërtetë, sepse u janë debitorë; sepse, në qoftë se johebrenjtë, pra, janë bërë pjestarë bashkë me ta për të mirat frymërore, kanë detyrë t'u shërbejnë atyre edhe me të mira materiale. 28 Si ta kem kryer këtë punë dhe t'ua kem dorëzuar këtë fryt, do të shkoj në Spanjë, duke kaluar nga ju. 29 Dhe unë e di se, duke ardhur tek ju, do të vij në tërësinë e bekimeve të ungjillit të Krishtit. 30 Dhe ju bëj thirrje, o vëllezër, për Zotin tonë Jezu Krisht dhe për dashurinë e Frymës, të luftoni bashkë me mua në lutje te Perëndia për mua, 31 që unë të shpëtoj nga të pabesët në Jude, dhe që shërbesa ime që po bëj për Jeruzalemin t'u pëlqejë shenjtorëve, 32 që unë të vij tek ju, në dashtë Perëndia, dhe të freskohem bashkë me ju. 33 Edhe Perëndia e paqes qoftë me ju të gjithë. Amen.