27
1 Jothami ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem. E ëma quhej Jerushah; ishte bija e Tsadokut.
2 Ai bëri atë që është e drejtë në sytë e Zotit, pikërisht ashtu si kishte vepruar i ati, Uziahu; (megjithëse nuk hyri në tempullin e Zotit), por populli i tij vazhdonte të korruptohej.
3 Ai ndërtoi portën e sipërme të shtëpisë të Zotit dhe bëri shumë punime në muret e Ofelit.
4 Përveç kësaj ndërtoi qytete në krahinën malore të Judës dhe kala dhe kulla ndër pyje.
5 I shpalli gjithashtu luftë mbretit të bijve të Amonit dhe i mundi ata. Bijtë e Amonit i dhanë atë vit njëqind talenta argjendi, dhjetë mijë kore gruri dhe dhjetë mijë elbi. Po kjo sasi iu dorëzua nga bijtë e Amonit vitin e dytë dhe të tretë.
6 Kështu Jothami u bë i fuqishëm, sepse rregulloi ecjen e tij përpara Zotit, Perëndisë të tij.
7 Pjesa tjetër e bëmave të Jothamit, tërë luftërat dhe ndërmarrjet e tij janë shkruar në librin e mbretërve të Izraelit dhe të Judës.
8 Ai ishte njëzet e pesë vjeç kur filloi të mbretërojë, dhe mbretëroi gjashtëmbëdhjetë vjet në Jeruzalem.
9 Pastaj Jothamin pushoi bashkë me etërit e tij dhe e varrosën në qytetin e Davidit. Në vend të tij mbretëroi i biri, Ashazi.