16
Prirjet e zemrës i përkasin njeriut, por përgjigja e gjuhës vjen nga Zoti. Të gjitha rrugët e njeriut janë të pastra në sytë e tij, por Zoti i peshon frymët. Besoja Zotit veprimet e tua dhe planet e tua do të realizohen. Zoti ka bërë çdo gjë për vete të tij, edhe të pabesin për ditën e fatkeqësisë. Ai që është zemërkrenar është i neveritshëm për Zotin; edhe sikur t'i shtrëngojë dorën një tjetri për besëlidhje, nuk ka për të mbetur pa u ndëshkuar. Me mirësinë dhe me të vërtetën padrejtësia shlyhet, dhe me frikën e Zotit njeriu largohet nga e keqja. Kur Zotit i pëlqejnë rrugët e një njeriu, ai bën që edhe armiqtë e tij të bëjnë paqe me të. Më mirë të kesh pak me drejtësi, se sa të ardhura të mëdha pa drejtësi. Zemra e njeriut programon rrugën e tij, por Zoti drejton hapat e tij. 10 Mbi buzët e mbretit është një vendim hyjnor; gjatë gjykimit goja e tij nuk duhet të gabojë. 11 Kandari dhe peshoret e sakta janë të Zotit, të gjitha gurët e peshës janë vepër e tij. 12 Éshtë një gjë e neveritshme për mbretërit të bëjnë të keqen, sepse froni bëhet i qëndrueshëm me drejtësinë. 13 Buzët e drejta u pëlqejnë mbretërve; ata e duan atë që flet drejt. 14 Zemërimi i mbretit është si lajmëtari i vdekjes, por njeriu i urtë do ta qetësojë atë. 15 Në dritën e fytyrës së mbretit ka jetë, dhe favori i tij është si reja e shiut të fundit. 16 Éshtë më mirë të fitosh dituri se sa ar, dhe të fitosh mënçuri se sa argjend. 17 Rruga kryesore e njerëzve të drejtë është të evitojnë të keqen; ai që do ta ruajë shpirtin e tij mbikqyr rrugën e tij. 18 Përpara shkatërrimit vjen kryelartësia dhe përpara rrëzimit fryma krenare. 19 Më mirë të kesh frymë të përulur me të mjerët se sa të ndash prenë me krenarët. 20 Kush i kushton kujdes Fjalës do të gjejë të mirën, dhe kush i beson Zotit është i lumtur. 21 I urti nga zemra do të quhet i matur, dhe ëmbëlsia e buzëve e shton diturinë. 22 Mendja është një burim jete për atë që e zotëron, por budallallëku është dënimi i budallenjve. 23 Zemra e të urtit e bën të mençur gojën e tij dhe e shton diturinë e buzëve të tij. 24 Fjalët e ëmbla janë si një huall mjalti, ëmbëlsi për shpirtin dhe ilaç për kockat. 25 Ka një rrugë që njeriut i duket e drejtë, por në fund ajo të nxjerr në udhët e vdekjes. 26 Personi që lodhet, lodhet për veten e tij, sepse goja e tij e nxit. 27 Njeriu i keq kurdis të keqen dhe mbi buzët e tij ka si një zjarr të ndezur. 28 Njeriu i çoroditur mbjell grindje dhe ai që shpif përçan miqtë më të mirë. 29 Njeriu i dhunës e josh shokun e vet dhe e çon nëpër një rrugë jo të mirë. 30 Kush mbyll sytë për të kurdisur gjëra të këqija, kafshon buzët kur shkakton të keqen. 31 Flokët e bardha janë një kurorë lavdie; atë e gjejmë në rrugën e drejtësisë. 32 Kush nuk zemërohet shpejt vlen më tepër se një luftëtar i fortë, dhe ai që e urdhëron frymën e tij vlen më tepër se ai që mposht një qytet. 33 Shorti hidhet që në barkun e nënës, por çdo veprim varet nga Zoti.