9
1 Atëherë profeti Eliseu thirri një nga dishepujt e profetëve dhe i tha: "Ngjesh brezin, merr me vete këtë enë të vogël me vaj dhe shko në Ramoth të Galaadit.
2 Kur të arrish aty, kërko të takosh Jehun, birin e Jozafatit, që është bir i Nimshit; hyrë në dhomë, merre nga mesi i vëllezërve të tij dhe çoje në një dhomë të veçantë.
3 Do të marrësh pastaj enën e vogël me vaj dhë do ta derdhësh mbi kokën e tij, duke thënë: Kështu thotë Zoti: "Unë të vajos mbret të Izraelit". Pastaj hape portën dhe mbathja pa humbur kohë".
4 Atëherë i riu, shërbëtori i profetit, u nis për në Ramoth të Galaadit.
5 Kur arriti aty, i gjeti kapitenët e ushtarët të ulur bashkë dhe tha: "Kam një kumtesë për ty, o kapiten". Jehu e pyeti: "Për cilin prej nesh?". Ai u përgjigj: "Për ty, kapiten".
6 Atëherë u ngrit dhe hyri në shtëpi; i riu i derdhi vajin mbi kryet, duke i thënë: "Kështu thotë Zoti, Perëndia i Izraelit: "Unë të vajos mbret të popullit të Zotit, të Izraelit.
7 Ti do të godasësh shtëpinë e Ashabit, zotit sate, kështu do të marr hak për gjakun që kanë derdhur profetët, shërbëtorë të mi, dhe për gjakun e tërë shërbëtorëve të Zotit, që është derdhur nga dora e Jezebelit.
8 Tërë shtëpia e Ashabit do të shuhet dhe unë do të shfaros nga kjo shtëpi tërë meshkujt, skllevër apo të lirë, që janë në Izrael.
9 Kështu do ta katandis shtëpinë e Ashabit si shtëpinë e Joreboamit, birit të Nebatit, dhe si atë të Baashas, birit të Ahijahut.
10 Qentë do të hanë Jezebelin në fushën e Jezreelit, dhe nuk do të ketë njeri që ta varrosë"". Pastaj i riu hapi portën dhe iku me vrap.
11 Kur Jehu doli nga shërbëtorët e zotit të tij, një nga këta e pyeti: "A shkon çdo gjë mirë? Pse ai i marrë erdhi te ty?". Ai u përgjigj: "Ju e njihni njeriun dhe fjalët e tij!".
12 Por ata thanë: "S'është e vërtetë! Na e thuaj, pra!". Jehu u përgjigj: "Ai më tha kështu e ashtu, duke deklaruar: Kështu thotë Zoti: "Unë të vajos mbret të Izraelit"".
13 Atëherë ata shpejtuan të merrnin secili mantelin e tij dhe ta shtrijnë poshtë tij në po ato shkallëza; pastaj i ranë borisë dhe thanë: "Jehu është mbret!".
14 Kështu Jehu, bir i Josafatit, që ishte i biri i Nimshit, kurdisi një komplot kundër Joramit. (Por Jorami, me tërë Izraelin, ishte duke mbrojtur Ramothin e Galaadit kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë;
15 pastaj mbreti Joram ishte kthyer nga Jezreeli për të shpëtuar plagët që i kishin shkaktuar Sirët ndërsa luftonte kundër Hazaelit, mbretit të Sirisë). Jehu tha: "Në rast se mendoni në të njëjtën mënyrë, asnjeri të mos dalë nga qyteti për të njoftuar Jezreelin".
16 Pastaj Jehu hipi mbi një qerre dhe u nis për në Jezreel, sepse aty ndodhej i sëmurë Jorami, dhe Ashaziahu, mbret i Judës, kishte zbritur për të vizituar Joramin.
17 Roja që rrinte mbi kullën e Jezreelit vuri re ushtrinë e madhe të Jehut që vinte dhe tha: "Shoh një grumbull të madh!". Jorami urdhëroi: "Merr një kalorës dhe çoje t'i takojë për t'i pyetur: "A sillni paqen?"".
18 Atëherë një njeri i hipur mbi kalë u doli përpara dhe u tha: "Kështu pyet mbreti: "A sillni paqe?"". Jehu u përgjigj: "Ç'të hyn në punë paqja? Kalo prapa dhe ndiqmë". Roja njoftoi duke thënë: "Lajmëtari arriti tek ata, por nuk po kthehet".
19 Atëherë Jorami dërgoi një kalorës të dytë, i cili me të arritur tek ata, tha: "Kështu pyet mbreti: "A sillni paqen?". Jehu u përgjigj: "Ç'të hyn në punë paqja? Kalo prapa dhe ndiqmë".
20 Roja njoftoi duke thënë: "Lajmëtari ka arritur tek ata, por nuk po kthehet. Mënyra e të ngarit të qerres është ajo e Jehut, birit të Nimshit, sepse e nget si i çmëndur".
21 Atëherë Jorami tha: "Përgatitni qerren!". Kështu i përgatitën qerren. Pastaj Jorami, mbret i Izraelit dhe Ashaziahu, mbret i Judës, dolën secili me qerren e vet për t'i dalë përpara Jehut dhe e gjetën në fushën e Nabothit të Jezreelit.
22 Kur Jorami pa Jehun, i tha: "A sjell paqen, Jehu?". Jehu u përgjigj: "Ç'paqe mund të ketë deri sa vazhdojnë kurvëritë e nënës sate Jezebel dhe magjitë e shumta të saj?".
23 Atëherë Jorami e ktheu drejtimin e qerres dhe iku me vrap duke i thënë Ashaziahut: "Tradhëti, Ashaziah!".
24 Por Jehu e ndau harkun me të gjithë forcën e tij dhe e goditi Joramin midis shpatullave; shigjeta i shpoi zemrën dhe ai u plandos në qerren e tij.
25 Pastaj Jehu i tha Bidkarit, ndihmësit të tij: "Merre dhe hidhe në kampin e Nabothit të Jezreelit sepse më kujtohet, kur ti dhe unë shkonim me kalë bashkë me suitën e Ashabit, atit të tij, Zoti shqiptoi kundër tij këtë orakulli:
26 "Dje me siguri pashë gjakun e Nabothit dhe gjakun e bijve të tij", thotë Zoti, "dhe unë do të të shpërblej në po këtë fushë", thotë Zoti! Kape, pra, dhe hidhe në fushë, sipas fjalës së Zotit".
27 Duke parë këtë, Ashaziahu, mbret i Judës, iku me vrap nëpër rrugën e shtëpisë me kopsht, por Jehu, iu ndjek prapa dhe tha: "Bjerini, edhe atij me qerre". Dhe e gjuajtën në të përpjetën e Gurit, që është afër Ibleamit. Por ai iku në Megido, ku vdiq.
28 Atëherë shërbëtorët e tij e çuan mbi një qerre në Jeruzalem dhe e varrosën në varrin e tij bashkë me etërit e tij, në qytetin e Davidit.
29 Ashaziahu kishte filluar të mbretëronte mbi Judë, vitin e dymbëdhjetë të Joramit, birit të Ashabit.
30 Kur Jehu arriti në Jezreel, Jezebeli e mori vesh. Atëherë filloi të zbukurojë sytë, rregulloi flokët e doli në dritare për të parë.
31 Ndërsa Jehu po hynte në portë, ajo i tha: "A sjell paqen, Zimri, vrasës i zotit sate?".
32 Jehu ngriti sytë nga dritarja dhe tha: "Kush është me mua? Kush?". Dy ose tre eunikë dolën në dritare duke shikuar nga ai.
33 Ai tha: "Hidheni poshtë!". Ata e hodhën poshtë, dhe pak gjak i saj ra mbi murin dhe mbi kuajt; dhe Jehu kaloi mbi të.
34 Pastaj hyri brenda, hëngri dhe piu; në fund tha: "Shkoni të shihni atë grua të mallkuar dhe varroseni, sepse është bijë mbreti".
35 Shkuan, pra, ta varrosin, por gjetën prej saj vetëm kafkën, këmbët dhe pëllëmbët e duarve.
36 U kthyen t'i tregonin gjendjen Jehut, që tha: "Kjo është fjala e Zotit e shqiptuar me anë të shërbëtorit të tij Elia, Tishbitit, kur tha: "Qentë kanë për të ngrënë mishin e Jezebelit në fushën e Jezreelit;
37 kufoma e Jezebelit do të jetë në fushën e Jezreelit si pleh në sipërfaqen e tokës; kështu nuk do të mundin të thonë: Këtu prehet Jezebeli"".