13
1 Dhe ja, një njeri i Perëndisë arriti nga Juda në Bethel me urdhër të Zotit, ndërsa Jeroboami qëndronte pranë altarit për të djegur temjan.
2 Me urdhër të Zotit klithi kundër altarit dhe tha: "Altar, altar, kështu thotë Zoti: "Ja, në shtëpinë e Davidit do të lindë një djalë, i quajtur Jozia, i cili ka për të flijuar mbi ty priftërinjtë e vendeve të larta dhe do të djegë mbi ty kocka njerëzore"".
3 Po atë ditë dha një shenjë të mrekullueshme, duke thënë: "Kjo është shenja për të cilën foli Zoti; ja, altari do të çahet dhe hiri që është mbi të do të shpërndahet".
4 Kur mbreti Jeroboam dëgjoi fjalët që njeriu i Perëndisë kishte shqiptuar kundër altarit në Bethel, shtriu dorën nga altari dhe tha: "Kapeni!". Por dora që Jeroboami kishte shtrirë kundër tij u tha dhe nuk mundi më ta tërheqë.
5 Përveç kësaj, altari u ça dhe hiri i tij u shpërnda, sipas shenjës që njeriu i Perëndisë kishte dhënë me urdhër të Zotit.
6 Atëherë mbreti iu drejtua njeriut të Zotit dhe i tha: Oh, lutju shumë Zotit, Perëndisë tënd, dhe lutu për mua, deri sa të më ripërtërihet dora". Njeriu i Perëndisë iu lut shumë Zotit dhe mbretit iu ripërtëri dora, ashtu siç ishte më parë.
7 Atëherë mbreti i tha njeriut të Perëndisë: "Eja në shtëpi bashkë me mua që ta marrësh veten; do të të bëj edhe një dhuratë".
8 Por njeriu i Perëndisë iu përgjigj mbretit: "Edhe sikur të më jepje gjysmën e shtëpisë sate, unë nuk do të vija me ty dhe as do të haja bukë e as do të pija ujë në këtë vend,
9 sepse kështu më ka urdhëruar Zoti: "Ti nuk do të hash bukë as do të pish ujë dhe nuk do të kthehesh nga rruga që ke përshkuar kur shkove".
10 Kështu ai shkoi nëpër një rrugë tjetër dhe nuk u kthye nëpër rrugën që kishte përshkuar kur vajti në Bethel.
11 Në Bethel banonte një profet plak; bijtë e tij shkuan e treguan tërë atë që njeriu i Perëndisë kishte bërë atë ditë në Bethel dhe i treguan atit të tyre fjalët që ai i kishte thënë mbretit.
12 I ati i pyeti ata: "Nëpër çfarë rruge iku?". Ç'është e vërteta, bijtë e tij e kishin parë nëpër çfarë rruge kishte shkuar njeriu i Perëndisë i ardhur nga Juda.
13 Atëherë ai u tha bijve të tij: "Më shaloni gomarin". I shaluan gomarin dhe ai hipi mbi të;
14 e ndoqi njeriun e Perëndisë dhe e gjeti ulur nën një lis dhe i tha: "A je ti njeriu i Perëndisë që ka ardhur nga Juda?". Ai iu përgjigj: "Jam unë".
15 Atëherë profeti plak i tha: "Eja në shtëpinë time për të ngrënë diçka".
16 Por ai u përgjigj: "Nuk mund të kthehem prapa as të vij me ty, nuk mund të ha bukë dhe të pi ujë me ty në këtë vend,
17 sepse Zoti më ka thënë: "Ti atje nuk do të hash bukë as do të pish ujë, dhe nuk do të kthehesh nëpër rrugën e përshkuar kur shkove".
18 Tjetri i tha: "Edhe unë jam profet si ti; dhe një engjëll më ka folur nga ana e Zotit, duke thënë: "Merre me vete në shtëpinë tënde që të hajë bukë dhe të pijë ujë"". Por ai gënjente.
19 Kështu njeriu i Perëndisë u kthye prapa bashkë me të dhe hëngri bukë në shtëpinë e atij dhe piu ujë.
20 Ndërsa ishin ulur në tryezë, fjala e Zotit iu drejtua profetit që e kishte kthyer prapa;
21 dhe ai i thirri njeriut të Perëndisë të ardhur nga Juda, duke thënë: "Kështu flet Zoti: "Me qenë se nuk iu binde urdhërit të Zotit dhe nuk respektove porosinë e Zotit, Perëndisë tënd, që të kishte dhënë,
22 por u ktheve prapa dhe hëngre bukë e pive ujë në vendin që Zoti të pati thënë: "Mos ha bukë e mos pi ujë", kufoma jote nuk ka për të hyrë në varret e prindërve të tu".
23 Kur mbaroi së ngrëni dhe së piri, profeti që e kishte kthyer prapa i shaloi gomarin.
24 Kështu ai u nis, por një luan i doli rrugës dhe e vrau. Kufoma e tij u hodh në mes të rrugës, ndërsa gomari i qëndronte afër dhe vetë luani mbeti pranë kufomës.
25 Disa njerëz kaluan andej dhe panë kufomën të hedhur në rrugë dhe luanin që rrinte afër kufomës; ata shkuan dhe e treguan këtë gjë në qytetin ku banonte profeti plak.
26 Sa e dëgjoi profeti që e kishte kthyer prapa, ai tha: "Éshtë njeriu i Perëndisë, që nuk iu bind urdhërit të Zotit; për këtë arësye Zoti e ka lënë në kthetrat e një luani, që e ka shqyer dhe vrarë, sipas fjalës që kishte thënë Zoti".
27 Pastaj iu drejtua bijve të tij dhe u tha: "Më shaloni gomarin". Ata ia shaluan.
28 Kështu ai u nis dhe e gjeti kufomën të hedhur në mes të rrugës, ndërsa gomari dhe luani rrinin afër kufomës; luani nuk e kishte ngrënë kufomën as kishte shqyer gomarin.
29 Profeti mori kufomën e njeriut të Perëndisë, e ngarkoi mbi gomarin dhe u kthye; kështu profeti plak u kthye në qytet për ta vajtuar dhe për ta varrosur.
30 E vendosi kufomën në varrin e tij; dhe filluan ta qajnë, duke thënë: "Oh, vëllai im!".
31 Mbas varrimit, profeti plak u tha bijve të tij: "Kur të vdes unë, më varrosni në varrin e njeriut të Perëndisë; m'i vini kockat pranë kockave të tij.
32 Sepse me siguri do të vërtetohet fjala e thënë prej tij me urdhër të Zotit kundër altarit të Bethelit dhe kundër tërë shenjtërorëve të vendeve të larta në qytetet e Samarisë".
33 Mbas kësaj ngjarjeje, Jeroboami nuk u tërhoq nga rruga e tij e keqe, por bëri priftërinj të tjerë për vendet e larta, duke i marrë nga çdo shtresë personash; kushdo që e dëshironte, shenjtërohej prej tij dhe bëhej prift i vendeve të larta.
34 Ky qe mëkati i shtëpisë së Jeroboamit, që shkaktoi shkatërrimin e saj dhe shfarosjen e saj nga faqja e dheut.