40
1 Fjala që iu drejtua nga Zoti Jeremias mbasi Nebuzaradani, komandanti i rojeve, e kishte lënë të lirë nga Ramahu, duke e kapur ndërsa ishte i lidhur me zinxhirë në mes të të gjithë të internuarve të
2 Komandanti i rojeve zuri Jeremian dhe i tha: "Zoti, Perëndia yt, e ka shqiptuar këtë të keqe kundër këtij vendi.
3 Tani Zoti e realizoi atë dhe bëri ashtu si kishte thënë, sepse ju keni mëkatuar kundër Zotit dhe nuk keni dëgjuar zërin e tij. Prandaj ju ndodhi një gjë e tillë.
4 Ja sot po të zgjidh nga prangat që ke në duar; në rast se të pëlqen të vish me mua në Babiloni, eja, dhe unë do të kujdesem për ty; por në rast se nuk të pëlqen të vish me mua në Babiloni, qëndro. Ja, tërë vëndi është para teje; shko atje ku të pëlqen më tepër dhe ku ke më tepër rehati".
5 Duke qënë se Jeremia nuk vendoste të kthehej, Nebuzaradani tha: "Kthehu te Gedaliahu, bir i Ahikamit, bir i Shafanit, që mbreti i Babilonisë ka vendosur mbi qytetet e Judës; bano me të në mes të popullit ose shko atje ku e ndjen veten më rehat". Pastaj komandanti i rojeve i dha ushqime si dhe një dhuratë dhe e la të ikte.
6 Atëherë Jeremia shkoi te Gedaliahu, bir i Ahikamit, në Mitspah, dhe banoi aty në mes të popullit që kishte mbetur në vend.
7 Kur tërë krerët e forcave që ishin në krahinë mësuan nga njerëzit e tyre që mbreti i Babilonisë e kishte vendosur Gedaliahun, birin e Ahikamit, si qeveritar të vendit dhe i kishte besuar atij burrat,
8 shkuan te Gedaliahu në Mitspah: Ishmaeli, bir i Nethaniahut, Johanani dhe Jonathani, bijtë e Kareahut, Serajahu, bir i Tanhumethit, bijtë e Efait nga Netofa dhe Jezaniahu, bir i Maakathitit së bashku me njerëzit e tyre.
9 Gedaliahu, bir i Ahikamit, bir i Shafanit, iu betua atyre dhe njerëzve të tyre, duke thënë: "Mos kini frikë t'u shërbeni Kaldeasve, qëndroni në vend dhe i shërbeni mbretit të Babilonisë, dhe çdo gjë do t'ju shkojë mbarë.
10 Sa për mua, ja, unë do të qëndroj në Mitspah për të qënë në dispozicion të Kaldeasve, që do të vijnë te ne; por ju grumbulloni verën, frutat verore dhe vajin, vendosini në enët tuaja dhe qëndroni në qytetet tuaja që keni zënë".
11 Edhe tërë Judejtë që ishin në Moab, midis Amonitëve, në Edom dhe në të gjitha vendet, kur mësuan që mbreti i Babilonisë kishte lënë një pjesë të popullsisë në Judë dhe që kishte vendosur mbi ta Gedaliahun, birin e Ahikamit, bir i Shafanit,
12 po, tërë Judejtë u kthyen nga të gjitha vendet ku ishin shpërndarë dhe erdhën në vendin e Judës te Gedaliahu në Mitspah dhe mblodhën verë dhe fruta verore me bollëk të madh.
13 Johanani, bir i Kareahut, dhe tërë krerët e forcave që ishin në krahinë erdhën te Gedaliahu në Mitspah,
14 dhe i thanë: "A e di ti që Baalis, mbreti i Amonitëve, ka dërguar Ishmaelin, birin e Nethaniahut, që të të vrasë?". Por Gedaliahu, bir i Ahikamit, nuk u besoi atyre.
15 Atëherë Johanani, bir i Kareahut, i tha në mënyrë të fshehtë Gedaliahut në Mitspah: "Oh, më lër të shkoj ta vras Ishmaelin, birin e Nethanjahut; askush nuk do ta mësojë. Pse duhet të të marr jetën, dhe kështu tërë Judejtë që janë mbledhur rreth teje të shpërndaheshin dhe pjesa që mbetet e Judës të vdesë?".
16 Por Gedaliahu, bir i Ahikamit, i tha Johananit, birit të Kareahut: "Mos bëj një gjë të tillë, sepse ajo që thua për Ishmaelin është e rreme".