23
"Nuk do të hapësh asnjë fjalë të rreme dhe nuk do t'i japësh asnjë ndihmë të pabesit për t'u bërë dëshmitar i anshëm. Nuk do të shkosh pas shumicës për të bërë të keqen; dhe nuk do të dëshmosh në një çështje gjyqësore duke u radhitur nga ana e shumicës për të prishur drejtësinë. Nuk do të favorizosh as të varfrin në gjyqin e tij. Në rast se takon kaun e armikut tënd ose gomarin e tij që ka humbur rrugën, do t'ia kthesh atij. Në rast se sheh gomarin e atij që të urren të shtrirë për tokë nën barrën, ruhu se e braktis, por ndihmo të zotin ta zgjidhë. Mos shkel të drejtën e të varfrit tënd në gjyqin e tij. Shmangu nga çdo pavërtetësi; mos vrit të pafajshmin dhe të drejtin, sepse unë nuk do ta fal të ligun. Mos prano asnjë dhuratë, sepse dhurata verbon atë që sheh dhe prapëson fjalët e njerëzve të drejtë. Mos shtyp të huajin, sepse ju e njihni shpirtin e të huajit, sepse keni qenë të huaj në vendin e Egjiptit. 10 Gjashtë vjet me radhë do të mbjellësh tokën tënde dhe do të korrësh frytet e saj; 11 por vitin e shtatë do ta lësh të pushojë dhe ajo do të mbetet djerr, me qëllim që ta gëzojnë të varfrit e popullit tënd; dhe gjëja e fshatit do të hajë atë që kanë për të lënë ata. Po ashtu do të veprosh me vreshtin tënd dhe ullinjtë e tu. 12 Gjashtë ditë do të bësh punën tënde por ditën e shtatë do të pushosh, me qëllim që kau yt dhe gomari yt të mund të pushojnë, dhe biri i shërbëtores sate dhe i huaji të mund ta marrin veten. 13 Do t'u kushtoni kujdes tërë gjërave që ju kam thënë dhe nuk do ta shqiptoni emrin e perëndive të tjerë; të mos dëgjohet të dalë nga goja juaj. 14 Tri herë në vit do të më kremtosh një festë. 15 Do të kremtosh festën e të ndormëve. Shtatë ditë do të hash bukë pa maja, siç të kam urdhëruar, në kohën e caktuar në muajin e Abibit, sepse në atë muaj ti dole nga Egjipti; dhe askush nuk do të paraqitet para meje duarbosh. 16 Do të kremtosh edhe festën e korrjes, të prodhimit të hershëm të punës sate, të asaj që ke mbjellë në ara; si dhe festën e të vjelave, në fund të vitit, kur do të mbledhësh nga arat frytet e punës sate. 17 Tri herë në vit tërë meshkujt do të paraqiten para Perëndisë, Zotit. 18 Nuk do të ofrosh gjakun e flisë sime bashkë me bukën e mbrujtur; dhe yndyra e flive të festës sime nuk do të teprojë deri në mëngjes. 19 Do të çosh në shtëpinë e Zotit, Perëndisë tënd, të parat fruta të tokës. Nuk do ta ziesh kecin me qumështin e nënës së tij. 20 Ja, pra, unë po dërgoj një Engjëll para teje që të të ruajë gjatë rrugës, dhe të të futë në vendin që kam përgatitur. 21 Ki kujdes para tij dhe bindju zërit të tij; mos ngri krye kundër tij, sepse ai nuk do t'i falë shkeljet tuaja, sepse emri im gjendet në të. 22 Por në qoftë se i bindesh plotësisht zërit të tij dhe bën të gjitha ato që do të them, unë do të jem armiku i armiqve të tu dhe kundërshtari i kundërshtarëve të tu; 23 sepse Engjëlli im do të shkojë para teje dhe do të të futë në vendin e Amorejve, të Hitejve, të Perezejve, të Kananejve, të Hivejve dhe të Jebusejve, dhe unë do t'i shfaros ata. 24 Nuk do përkulesh para perëndive të tyre, dhe nuk do t'u shërbesh. Nuk do të bësh atë që bëjnë ato; por do t'i shkatërrosh plotësisht dhe do të thyesh shtyllat e tyre. 25 Shërbejini Zotit, Perëndisë tuaj, ai do të bekojë bukën tënde dhe ujin tënd; dhe unë do të largoj sëmundjen nga ti. 26 Në vendin tënd nuk do të ketë asnjë grua që të dështojë, asnjë grua shterpë. Unë do ta plotësoj numrin e ditëve të tua. 27 Unë do të dërgoj para teje tmerrin tim dhe do t'i jap dërmën çdo populli pranë të cilit do të arrish, do të bëj që të gjithë armiqtë e tu të të kthejnë kurrizin. 28 Dhe do të dërgoj para teje grerëza, që do t'i përzënë Hivejtë, Kananejtë dhe Hitejtë para syve të tu. 29 Nuk do t'i përzë ata para teje brenda një viti, me qëllim që vendi të mos kthehet në një shkrerëtirë dhe kafshët e fushave të mos shumëzohen kundër teje. 30 Do t'i përzë para teje pak e nga pak, në mënyrë që ti të rritesh në numër dhe të shtiesh në dorë vendin. 31 Dhe unë do t'i caktoj kufijtë e tu nga Deti i Kuq në detin e Filistejve dhe nga shkretëtira deri te Lumi; sepse unë do të lë në duart e tua banorët e vendit dhe ti do t'i dëbosh para syve të tu. 32 Nuk do të lidhësh asnjë aleancë me ta, as edhe me perënditë e tyre. 33 Ata nuk do të banojnë në vendin tënd, që të mos të bëjnë të mëkatosh kundër meje: ti do t'u shërbeje perëndive të tyre, dhe kjo do të ishte një lak".